KUSH ËSHTË LUTFI DALIPI – PRURJA MË E RE E DARDANËVE?
13/11/2026 11:16
Lutfi Dalipi është emri i ri që i është bashkuar Kombëtares së Kosovës, ndërsa talenti i tij dhe paraqitjet në futbollin zviceran kanë bërë që ai të jetë njëri prej futbollistëve më interesantë të gjeneratës së tij.
Dalipi ka lindur më 23 maj 2006 në Riaz të Zvicrës, ndërsa ka prejardhje shqiptare nga Presheva, përkatësisht Lugina e Preshevës.
Hapat e parë në futboll i mori në ekipet zinxhir të FC Billens dhe FC Central FR, për të vazhduar më pas te gjiganti zviceran Young Boys, ku u zhvillua në grupmoshat e reja dhe më vonë iu bashkua skuadrës së dytë të klubit.
Në sezonin 2025/26, mesfushori shqiptar u huazua te FC Wil, ku në nëntë paraqitje arriti të realizojë dy gola dhe një asistim.
Megjithatë, shpërthimi i tij i vërtetë po ndodh këtë sezon te FC Vaduz, ku është i huazuar sërish nga Young Boys. Deri më tani, në 13 ndeshje, Dalipi ka regjistruar pesë gola dhe nëntë asistime, duke tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij.
Vlera e kartonit të tij vlerësohet aktualisht rreth 1.5 milionë euro, ndërsa emri i tij është lidhur edhe me interesimin e RB Leipzigut, skuadrës që garon në Bundesligën gjermane.
Dje, Dalipi u zyrtarizua si një prej përforcimeve më të reja të Kombëtares së Kosovës. Në fjalët e tij të para pas vendimit për t'u bërë pjesë e Dardanëve, ai zbuloi edhe premtimin që i kishte dhënë babait të tij:
“I kam premtuar babait se do ta përfaqësoj ose Kosovën, ose Shqipërinë.”
Tashmë, ai ka zgjedhur Kosovën dhe synon që talentin e tij ta dëshmojë edhe me fanellën e Dardanëve.
🌐 kosovascore.com
Përmbajtja ekskluzive e KosovaScore.com mbrohet nga Ligji Nr. 08/L-205; kopjimi ose ripublikimi pa lejen tonë do të ndiqet ligjërisht.